
Festa për 110-vjetorin e pavarësisë ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Një sërë eventesh janë organizuar në Kosovë në nder të kësaj dite, me fokusin kryesor: nderimin e heronjve.
Homazhet për Ditën e Pavarësisë nisën pranë bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Prishtinë. Të pranishëm zëvendëskryeministra e ministra të qeverisë së Kosovës.
Kjo ditë e shënuar përkon dhe me përvjetorin e lindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari. Zyrtarë lokalë dhe të qeverisë së Kosovës bënë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz.
“Në vendin ku më mirë se gjithkund tjetër në Kosovë të dëshmohet sakrifica jonë në këtë ditë të rëndësishme, ku jemi krenarë për të gjithë ata burra dhe gra që për dekada dhe shekuj kanë punuar palodhshëm dhe me vetëmohim për të gëzuar këtë liri që ne sot e kemi, si dhe për të reflektuar për ato obligime, të cilat ende nuk i kemi përmbushur si Qeveri e Kosovës zotohemi se për 365 ditë të çdo viti do të punojmë që zotimet e komandantit legjendar Adem Jashari, por edhe komandantëve të tjerë që nga koha e Skënderbeut përfundimisht të realizohen”, tha Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës.
“Jemi këtu sot në nderim të 28 nëntorit, ditës e cila ka shumë kuptime për kombin shqiptar në një peshë të veçantë ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, 110-vjetori i shpalljes të Shqipërisë së pavarur dita e flamurit një ditë që në peshë dhe rëndësi çdo ditë e më shumë po tregon se sa e rëndësishme është të kultivohet e sa e rëndësishme është të kujtohet se sa e rëndësishme është që ne çdo ditë të angazhohemi që këtë ditë ta bëjmë realitet për idealin dhe sakrificën e gjithë atyre të nuk janë më sot me përulje si çdoherë tjetër për të nderuar një sakrificë e cila është e pashembullt në kombin tonë në kuptimin e sakrificës me tërë familjen dhe përpjekjeve të vazhdueshme inspirinit dhe mesazhin që sakrifica e familjes Jashari dha pastaj për ushtarët e UÇK”, tha Mimoza Kusari-Lila, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.
28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, përbën dhe një arsye tjetër për festë në Kosovë, pasi në këtë datë u bë dhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (A2 Televizion)