“Festivali i Dritave”, lutje dhe festime për pasuri e mirëqenie

Nga A2 CNN
31 Tetor 2021, 12:04 | Lifestyle

Diwali, njohur edhe si “Festivali i Dritave”, është një nga festivalet më të rëndësishme hindu në Indi, por traditat dhe ritet që zbatohen gjatë këtyre festimeve, nuk janë të njëjta në të gjithë vendin. P.sh. në veri, Diwali është shpesh një festë e zhurmshme, plot fishekzjarrë dhe lojëra të ndryshme që zhvillohen nëpër rrugë apo shtëpi. Banorët më të pasur ekspozojnë arin, bizhuteritë, rrobat dhe dhuratat e shtrenjta, të cilat i blejnë për vete dhe për të dashurit e tyre.

Në fshatrat e qetë, në perëndim të Indisë, festimi i “Festivalit të Dritave” është përgjithësisht më i thjeshtë dhe bazohet te dhuratat që u lihen perëndive nëpër altarë. Shumica e fshatarëve përpiqen të blejnë rroba të reja, por pakkush mund të përballojë luksin.

Në përgjithësi, Diwali festohet për pesë ditë me radhë gjatë vjeshtës, pa një datë fikse, por shpesh qëllon të jetë fundi i tetorit ose fillimi i nëntorit. Dita e tretë e Festivalit është dhe dita që festimet kulmojnë dhe njerëzit dynden nëpër rrugë. Disa rituale Diwali janë të zakonshme për pjesën më të madhe të vendit, dhe si në qytet ashtu edhe në fshat, llamba të vogla prej balte vendosen në pragjet e shtëpive, dyqaneve dhe zyrave për të festuar - sipas legjendës - kthimin e perëndisë hindu, Zotit Rama, në mbretërinë e tij. Gjithashtu, besohet se gjatë këtyre festimeve, perëndesha hindu e pasurisë, Lakshmi, do të vizitojë shtëpitë e tyre, nëse llambat janë të ndezura, të pastra dhe të dekoruara bukur. Dritaret dhe dyert lihen të hapura për të lejuar perëndeshën të hyjë brenda.

Sipas CNN Travel, tradita e do që gjatë Diwali-t të luhet edhe kumar pasi, sipas mitologjisë, një hyjni hindu luajti një lojë me bashkëshorten e tij në ditën e katërt të Diwali dhe ajo fitoi. Të tjerë besojnë se Lakshmi mund të thirret përmes lojërave të fatit. Përveç këtyre riteve, në thelb ajo që i bashkon të gjithë besimtarët hindu gjatë këtyre pesë ditëve të hareshme janë festimet e përbashkëta në familje, si dhe me miqtë që shkëmbejnë mes tyre ushqime të ndryshme, kryesisht ëmbëlsira. Megjithatë, vitet e fundit duket se festimet janë zbehur dhe tradita po harrohet. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/02/24/te-lashte-dhe-moderne-8-tempujt-me-mahnites-te-indise/

A2 CNN Livestream

Latest Videos