
Mbi 1 milion euro shtesë do t’u shpërndahen partive politike që marrin pjesë në zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas një vendimi të fundit të qeverisë, zërit ‘Mbështetje për partitë politike’ i shtohen 130 milionë lekë, duke e çuar financimin total këtë vit në 270 milionë lekë.
Kjo shifër është lehtësisht më e ulët se sa në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2017, kur fondi për partitë arriti në 290 milionë lekë. Por kostoja e një fushate zgjedhore shkon përtej kësaj shume që financohet nga shteti, pjesë që sipas deklarimeve të subjekteve plotësohet nga kuotat e anëtarësisë, donacionet e individëve deri në 100 mijë lekë dhe donacionet në natyrë, kryesisht për ambientet e zyrave elektorale.
Por sa arrijnë të kontrollohen realisht të ardhurat që deklarojnë partitë politike në zgjedhje dhe të evidentohet burimi i tyre?
Në bazë të raporteve të monitorimit të zgjedhjeve të kaluara të përgjithshme dhe lokale, ka diferenca të mëdha në shpenzimet që raportojnë partitë dhe atë çka vlerësojnë monitoruesit në terren. P.sh. për një miting në Librazhd në vitin 2019, monitoruesi ka vlerësuar se flamujt, karriget me qira, bluzat e loguara, shërbimi audio video, ekrani led, ndriçimi, fonia dhe transporti kanë kushtuar 1.58 milionë lekë, kur subjekti zgjedhor ka arritur të faktojë me fatura vetëm 883 mijë lekë, apo gjysmën e kostos reale.
Verifikimet sesa kanë qenë realisht shpenzimet nuk i bën askush. Pasi sipas ligjit, audituesit e përzgjedhur nga KQZ bëjnë vetëm verifikimin e faturave që dorëzojnë partitë dhe nuk thellohen në hetime të mëtejshme. (A2 Televizion)