
Shqipëria po kalon një situatë më të qetë nga pandemia, me ulje të ndjeshme të infektimeve dhe shtrimeve në spital.
Megjithatë, ekspertët e shëndetësisë i tremben ditës së zgjedhjeve, e cila mund të shënojë fillimin e një vale të tretë të koronavirusit, përhapja e të cilit do të ndihet më së shumti në fshatra.
“Dita më e vështirë do të jetë ajo e vorimit. Në fushatë mund të kesh me qindra në grumbullime, ndërsa ditën e zgjedhjeve do të jenë 1,6 milionë shqiptarë të grumbulluar. Nëse do të ndodhë diçka nga ky element, ne do ta kuptojmë efektin javën e tretë apo javën e katërt të majit”, shprehet epidemiologu Alihmehmeti.
Pavarësisht numrit të lartë të personave të prekur në një vit dhe vaksinimeve që po kryhen këtë periudhë, për epidemiologun Ilir Alimehmeti jemi shumë larg imunizimit të popullatës.
“Një vaksinë duhet të jetë të paktën 80% efikase dhe t’u bëhet të paktën 75% të popullatës, që të ketë mundësinë të zhdukë një valë të koronavirusit pa pasur nevojë për masa të tjera, pasi ky është synimi. Ne jemi shumë larg të përdorimit të një vaksinë të paktën 80% efikase në 75% të popullatës. Kjo do të thotë se të gjithë personat mbi 18 vjeç të jenë të vaksinuar”.
Anëtari i komisionit të shëndetësisë në Akademinë e Shkencave tërheq vëmendjen ndaj personave të vaksinuar. Çdo neglizhim i masave mund të çojë në infektim të tyre pavarësisht llojit të vaksinës që ka marrë.
“Asnjë vaksinë nuk e ka efektivitetin 100%. Ne duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat”.
Alimehmeti këmbëngul se personat që kanë krijuar imunitet natyral mund ta kryejnë vaksinën 6 muaj pasi kanë kaluar Covid-19. Sipas tij, kjo verë pritet të jetë më e qetë se dimri, por vendimtare do të jetë sjellja e qytetarëve në 25 prill. (A2 Televizion)