
Prokuroria e Posaçme, SPAK, ndërmori veprime konkrete lidhur me verifikimin e denoncimit publik për vjedhje të të dhënave personale nga e-Albania të 910 mijë votuesve nga ana e Partisë Socialiste.
Dy oficerë të policisë gjyqësore kanë shkuar në zyrat e një portali që publikoi të dhëna nga sistemi i pretenduar si i Partisë Socialiste, për të sekuestruar serverin.
Burime pranë SPAK bënë me dije se nuk është realizuar sekuestrimi, për arsye objektive, por se veprimi do të përsëritet gjatë ditës së mërkurë. Denoncimi në media i sistemit, që përmbante të dhëna personale dhe qasjen e votës së tyre ngjalli reagim të fortë te Partia Demokratike dhe Presidenti i Republikës. (A2 Televizion)