Si gjithmonë, Finlanda është vendi më i lumtur në botë. Pavarësisht mungesës së theksuar të diellit dhe temperaturat që gjatë gjithë dimrit shkojnë shumë poshtë zeros, vendi skandinav për të disatën herë kryeson renditjen e raportit World Happiness i realizuar nga instituti prestigjioz Gallup. Raporti merr parasysh indikatorë shumë të ndryshëm socialë, ekonomikë dhe kulturorë, por një nga faktorët më të rëndësishëm ka të bëjë me nivelin e vetëbesimit të opinionit publik mbi institucionet e vendit, qeverisjes, dhe solidaritetit social. Një sfidë në vete ka qenë raporti i fundit i sapodalë, nga momenti që i gjithë planeti është përballur me vështirësitë ekonomike dhe kufizimet e detyruara nga përhapja e pandemisë, që ka pasur impakt sigurisht edhe në humorin e secilit, por nuk duket se ka ndikuar së tepërmi në renditjen e përvitshme. Pas Finlandës renditet Islanda, që ngjitet nga vendi i katërt tek ai i dytë, ndoshta edhe për efektet e kufizuara të pandemisë në ishullin e largët europian. Po në rajon? Vendi më i lumtur duket Kosova. Ajo renditet në vend të 31-të, më lartë se vende si Polonia dhe Japonia, por edhe se Serbia e vendit të 42-të. Më larg ndodhet Shqipëria në këtë renditje, e 65-ta, por në përmirësim nga vendi i 75-të të dyvjeçarit të kaluar, vend ky që tani është i Maqedonisë së Veriut. (A2 Televizion)
Finlanda vijon të jetë shteti më i lumtur në botë, Shqipëria në vendin e 63-të
