
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka akuzuar SHBA-të se po kërcënojnë ta lënë popullsinë e vendit të tij pa ushqim përmes sanksioneve dhe bllokadës detare.
Duke folur pas një takimi të ministrave të Jashtëm të G7-s në Paris të martën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi “të jashtëzakonshme” “dhimbjen ekonomike” që po i shkaktohet Iranit, duke paralajmëruar se ndikimi i sanksioneve do të rritet me kalimin e kohës.
Ai argumentoi se vështirësitë në rritje mund ta detyrojnë udhëheqjen iraniane të bëjë lëshime, pasi “në fund të fundit, duhet të hash për të mbijetuar”.
“Ky është një tjetër pranim se Uashingtoni po ndjek një politikë që përbën krime lufte, duke iu shtuar mizorive që ka kryer tashmë në luftërat e tij të agresionit dhe në terrorizmin ekonomik kundër Iranit”, shkroi Baghaei të shtunën në rrjetin social X.
“Pas dekadash përpjekjesh të dështuara për të imponuar vullnetin përmes presionit, kërcënimeve, sanksioneve, terrorizmit dhe agresionit, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përsërisin të njëjtat gabime, thjesht duke i paraqitur me emra të rinj”, shtoi ai.
(A2 Televizion)