
Albana Vokshi, ka kërkuar mbështetjen e përfaqësueseve të Partisë Popullore Europiane për krijimin e një qeverie kujdestare në Shqipëri.
Gjatë Kongresit dhe Mbledhjes së Bordit të Përgjithshëm në Bruksel, zv.presidentja e EPP Women Vokshi denoncoi kapjen e shtetit nga krimi dhe keqpërdorimin e burimeve publike në zgjedhje.
Ajo solli në vëmendje edhe kërcënimet personale gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, si dhe kërkoi solidaritetin e kolegeve europiane për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Me Edi Ramën kryeministër, nuk do të kemi kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Vokshi.
“Që prej muajit maj, në Shqipëri ka protesta. Fillimisht ishin protestat e lëvizjes “Flamingo”: demonstrata paqësore, plot ngjyra, të brezit Z. Por askush nuk i dëgjoi. Në tetor nisën protestat e studentëve. Ata kishin grumbulluar zemërim dhe pakënaqësi. Kërkonin kushte më të mira jetese e arsimimi dhe dorëheqjen e kryeministrit. Prandaj kërkesa jonë është për një qeveri kujdestare, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të dashura kolege, eurodeputete dhe deputete nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe vendet kandidate: kemi nevojë për mbështetjen tuaj! Kemi nevojë për solidaritetin tuaj!”
(A2 Televizion)