
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq juristin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, A.B, i akuzuar për shpërdorim detyre. Ai dyshohet se ka fshirë nga kartela e një trualli prej 3 250 metrash katrorë në Selitë shënimin që mbronte interesat e një kompanie ndërtimi, me të cilën pronarët kishin lidhur kontratë sipërmarrjeje për zhvillimin e pronës.
Sipas Prokurorisë, pas fshirjes së këtij shënimi kufizues, pronarët e truallit kanë lidhur një kontratë të re sipërmarrjeje me një tjetër kompani, “Al Development”. Juristi dyshohet se e kreu veprimin pa pasur një bazë të mjaftueshme ligjore, duke cenuar interesat e shoqërisë “Triumph Company”.
NJOFTIMI
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.B., jurist pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), i akuzuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.6824, të vitit 2025, nisur mbi kallëzimin e një shtetaseje J.D. në cilësinë e administratores së shoqërisë “Triumph Company” sh.p.k., ky shtetas rezultoi se ka fshirë shënimin kufizues të kontratës së sipërmarrjes nga kartela e pasurisë nr. 138/19, zona kadastrale 3292, Selitë, Tiranë që kjo shoqëri kishte lidhur me pronarët e tokës për zhvillimin e pasurisë me sipërfaqe 3250 m² në Selitë për zhvillimin e pronës në dëm të shoqërisë.
Pronarët e tokës lidhën me shoqërinë ‘Triumph Company’ një kontratë sipërmarrjeje për zhvillimin e pasurisë, ku neni 4 përcakton se afati për realizimin e ndërtimit është tre vjet pas marrjes së lejes së ndërtimit. Kontrata është pasqyruar në dokumentacionin kadastral me shënim bllokimi në favor të shoqërisë “Triumph Company”. Shënimi siguronte pasqyrimin dhe mbrojtjen në regjistër të interesit kontraktor të shoqërisë mbi pasurinë objekt zhvillimi.
Nga aktet rezultoi se fshirja e këtij shënimi është kryer nga A. B., jurist pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Vlorë, të cilit praktika për pasurinë në Tiranë i është caktuar me short elektronik. Fshirja u krye mbi bazën e kërkesës e pronarëve me pretendimin se shoqëria nuk e kishte zhvilluar pronën dhe njoftimit noterial që kjo familje i kishte drejtuar shoqërisë për ndërprerjen e marrëdhënies kontraktore. Pas këtij ndryshimi pronarët e tokës nënshkruan me një tjetër shoqëri “Al Development” sh.p.k. një kontratë të re sipërmarrjeje për të njëjtën pasuri.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezultoi se pretendimi për moszhvillimin e pronës nuk përbënte provë të përfundimit automatik të kontratës. Afati trevjeçar i nenit 4 fillonte nga marrja e lejes së ndërtimit dhe jo nga nënshkrimi i aktit. Juristi i ASHK-së nuk mund të zëvendësonte provën e zgjidhjes ligjore të kontratës me vlerësimin e tij mbi kohëzgjatjen e moszhvillimit të pronës.
Shtetasi A. B., duke pranuar kërkesën e njëanshme të pronarëve dhe njoftimin noterial si bazë të mjaftueshme për fshirjen, ka hequr kufizimin pa bazën juridike që justifikonte këtë ndërhyrje. Fshirja ka cenuar interesin e ligjshëm të shoqërisë “Triumph Company” sh.p.k. për ruajtjen e pozitës së saj të regjistruar dhe ka mundësuar vënien e së njëjtës pasuri në dispozicion të shoqërisë “Al Development” sh.p.k., nëpërmjet kontratës së re të sipërmarrjes. Veprimi i shtetasit A.B. ka sjellë dëmtimin e interesave të ligjshëm të shoqërisë “Triumph Company” sh.p.k. dhe ka mundësuar disponimin kontraktor të pasurisë në favor të një subjekti tjetër.
(A2 Televizion)