Festë e jashtëzakonshme në Napoli për triumfin e skuadrës së qytetit ndaj Juventusit në finalen e Kupës së Italisë. Mijëra tifozë napoletanë u mblodhën në sheshet kryesore për të festuar fitoren e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm futbollistik në Itali.
Flamuj blu, flakadanë e fansa që këndojnë, qëndruan për orë me radhë jashtë për suksesin e veçantë të Napolit. Festa mori edhe më shumë vlerë pasi përballë, në finale, ishte Juventus një rival i përjetshëm i të kaltërve, dy skuadrat të cilat kanë zhvilluar përballje të tensionuara për dekada me radhë.
Nga ana tjetër, zhgënjimi ishte i qartë në Torino, me rrugët e qytetit të cilat heshtën pas vërshëllimës finale në Olimpico të Romës. (A2 Televizion)