Premier League rikthehet “e gjunjëzuar”, në stadiumin e boshatisur nga COVID-19

Nga A2 CNN
17 Qershor 2020, 20:50 | Futboll

Premier League u rikthye sot me ndeshjen e parë pas një pauze 100-ditore për shkak të pandemisë të koronavirusit. Një rikthim aspak tradicional, për shumë arsye. Ekipet e Aston Villa dhe Sheffield United u futën në fushë të distancuara, dhe lojtarët nuk i shtrënguan dorën kundërshtarëve.

Në stadiumin e boshatisur, ku vetëm drejtuesit dhe gazetarët ishin të pranishëm, minuta e heshtjes për viktimat e COVID-19 ishte edhe më domethënëse.

Por simbolikat nuk përfundonin këtu. Lojtarët dhe arbitri u gjunjëzuan para fillimit të ndeshjes në shenjë solidariteti me lëvizjen Black Lives Matter, dhe protestat antiraciste të filluara në SHBA dhe që kanë përfshirë edhe Britaninë e Madhe.

Përtej situatës së veçantë të krijuar, rikthimi i futbollit u pa nga të gjithë si një tentativë për t’iu rikthyer normalitetit.

Kreu i Federatës së Futbollit, Princi William, komentoi se “është fantastike të kemi sërish futboll, na kishte munguar! Faleminderit të gjithave që bënë këtë gjë të mundshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos