Ai është një prej aktorëve të pakët në Hollivud i cili i kryen vetë skenat e rrezikshme të filmave të tij, pa dublantë. Edhe këtë herë, Tom Cruise nuk ka zhgënjyer në xhirimet e serisë së 7 të filmave “Mission Impossible”.
Në një pjesë sa të frikshme aq edhe plot adrenalinë, aktori është parë të fluturojë në ajër me motor gjatë xhirimeve në Norvegji, e më pas të zbresë me parashutë. Skenat e jashtëzakonshme po filmohen në Norvegji, në malin Helsetkopen. Sipas dëshmitarëve okularë, të cituar nga “Daily Mail”, 58-vjeçari e përsëriti skenën katër herë para se të realizohej pikërisht ashtu si duhej.
Xhirimet për filmin e fundit “Mission Impossible” rinisën pas 5 muajsh ndërprerje për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pasi xhirimet u transferuan në Norvegji, u raportua që Cruise kishte marrë me qira një anije për rreth 500 mijë paund, për të karantinuar të gjithë trupën e xhirimit.
“Mission Impossible 7” do të dalë në kinema më 19 nëntor 2021. (A2 Televizion)