Fluturimi i tmerrit për 326 pasagjerë, nga Stambolli në Nju Jork

Nga A2 CNN
10 Mars 2019, 18:01 | Bota

Ishte i frikshëm udhëtimi i së shtunës nga Stambolli me destinacion Nju Jorkun. Pak minuta para se të ulej në aeroportin John F. Kennedy, avioni i kompanisë “Turkish Airlines” u përfshi nga një numër turbulencash që shkaktoi jo vetëm panik, por edhe të lënduar.

29 persona të plagosur u dërguan në spital me të zbritur në aeroport me fraktura nga përplasjet.

“Unë ndodhesha në tualet. U trondit aq shumë sa u përplasa në tokë dhe pastaj në tavan. E ndjeja veten të përplasesha në skaje disa herë radhazi. Kur pushuan, dola prej andej e vrapova drejt bashkëshortes time. Ajo është shtatzënë. E gjeta shtrirë në dysheme. E ngrita dhe e ula ne sedilje. Asaj nuk i pushonin lotët”, tregon një pasagjer.

Ndërkohë në sallat e pritjes kishte edhe nga ata që nuk po gjenin dot të afërmit e tyre. “Këtu nuk të jep kush informacion, duket që diçka ka ndodhur, por nuk po e kuptojmë çfarë. Po pres të gjej mamanë time. Ajo është 81 vjeç”.

Në avion ndodheshin 326 pasagjerë dhe 21 pjesëtarë të ekuipazhit. Qendra e shërbimit meteorologjik kishte njoftuar ndërkohë pilotët për kushte të vështira atmosferike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos