Fund tragjik për alpinistët që guxuan kundër “Malit Killer“, do mbeten aty përgjithmonë

Nga A2 CNN
9 Mars 2019, 17:59 | Bota

Mbaron në mënyrë tragjike aventura e dy alpinistëve anglez dhe italian që kishin guxuar një sipërmarrje të pamundur: të ngjisnin gjatë dimrit malin Nanga Parbat, i quajtur edhe “mali killer”.

Nanga Parbat, që ndodhet në Pakistan, jo vetëm është maja e nëntë më e lartë në botë, por padyshim edhe një nga më të rrezikshmet. Alpinistët më të përgatitur kanë hasur vështirësi të mëdha ose kanë vdekur në tentativën e ngjitjes, që sidomos gjatë stinës dimërore nuk ishte tentuar kurrë më parë.

Tom Ballard, 30 vjeç, dhe Daniele Nardi , 42, kishin eksperiencë të madhe, dhe ky i fundit kishte ngjitur Everestin dhe K2, madje edhe Nanga Parbat gjatë sezonit veror.

Pas disa ditësh kërkime, trupat e të dyve u pikasën me anë të disa teleskopëve në një pjesë të malit në 5900 metra, pothuajse e pamundur për t’u arritur.

Trupat e tyre mund të rrinë aty për shumë vite, ndoshta përgjithmonë, ndërsa efektet personale dhe laptopat brenda çadrës, që ndodhej diku më poshtë, do t’i kthehen familjarëve.

Inglesi Ballard ishte djali i një alpinisteje të vdekur në një ekspeditë në K2, në vitin 1995, kur ai ishte vetëm 6 vjeç. E fejuara e tij në një postim shkruan që “Mali të jep, mali të heq. Zemra ime është e mbytur. Do të gjej sërish, në lumenjtë, në pemët, në malet. Je shkëmbi im më i fortë”.

Kurse italiani Nardi para se të fillonte ekspedita në dhjetor shkruante një letër, që duket një testament për të birin: “Do më pëlqente të kujtohesha si njeriu që ka provuar të bëjë diçka të pabesueshme, dhe nuk u dorëzua kurrë. Po mos të kthehem më, mesazhi për djalin tim është ky: Mos ndalo, mos u dorëzo, përveshi mëngët sepse bota ka nevojë për njerëz të mirë që mund të bëjnë paqen një realitet dhe jo thjesht një ide”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos