
Një frazë nga filmi i Batmanit të vitit 2012, “The Dark Knight Rises”, është bërë virale pasi njerëzit e kanë kuptuar se është një shpjegim perfekt se pse ne duhet të mbajmë maskë në këtë kohë pandemie.
Nga kjo javë, edhe në Shqipëri maskat do të jenë të detyrueshme për çdo qytetar në ambientet e brendshme. “Maska është e detyrueshme në ambientet e mbyllura. Tashmë, vendosja e maskës nuk është më një rekomandim, por edhe një përgjegjësi”, u shpreh për A2 ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Ka pasur njerëz që e kanë mbajtur maskën që nga nisja e pandemisë, ndërsa ata që nuk e pëlqejnë idenë e mbajtjes së saj me detyrim, ndoshta duhet të këshillohen nga Batmani. Në një skenë të filmit, pasi shpëton policin John Blake, Batmani i thotë atij se nëse dëshiron që të punojë vetëm, duhet të mbajë maskë. Polici i përgjigjet se nuk ka frikë të tregojë fytyrën e tij, por Batmani ia kthen prerë: “Maska nuk është për ty, por për të mbrojtur njerëzit që do”.
Në një skenë tjetër, Batman thotë: "E mbaj maskën për të mbrojtur të afërmit e mi”.
Të dhënat aktuale tregojnë se maska nuk mbron personin që e mban atë, por mund të parandalojë që ti ta transmetosh virusin tek të tjerët nëse je i sëmurë, veçanërisht nëse nuk ke ende simptoma të koronavirusit dhe nuk e di se je i infektuar. (A2 Televizion)