
Autoritetet në Filipine paralajmërojnë qytetarët për një shpërthim të rrezikshëm të vullkanit Taal, pasi ai filloi të nxjerrë llavë.
Në orët e para të së hënës, një rrjedhë e vogël llave nisi të dalë nga maja e vullkanit, 70 km në jug të kryqytetit Manila. Më herët, shtëllunga të mëdha hiri detyruan evakuimin e mbi 8 mijë personave nga zona.
“Dëgjuam një zhurmë të madhe në çati. Gurë dhe hi kishin rënë në shtëpinë tonë. U frikësuam dhe menduam se vullkani do të shpërthente sot. Pamë një grup njerëzish që po largoheshin dhe vendosëm edhe ne të ikim. Jam shumë e shqetësuar nga ajo që mund të ndodhë”, thonë banorët.
Taal është vullkani më aktiv në Filipine. I pozicionuar në një ishull në mesin e një liqeni, ai është një prej vullkanëve më të vegjël në botë dhe gjatë 450 viteve të fundit ka regjistruar të paktën 35 shpërthime. Autoritetet në rajonin e Batangas shpallën gjendjen e katastrofës. Të dielën, vullkani lëshoi shtëllunga të mëdha hiri, shoqëruar me zhurmë dhe lëkundje toke.
Një total prej 75 tërmetesh janë regjistruar në rajonin e Taal, 32 prej të cilave me magnitudë më të madhe se 2. Autoritetet paralajmërojnë për tsunami të mundshëm vullkanik nga rënia e mbeturinave pas shpërthimit, çka mund të gjenerojë dallgë të konsiderueshme.
Mbi 450 mijë vetë vlerësohet se jetojnë ne zonën e rrezikshme prej 14 km. (A2 Televizion)