''Fshati i harruar'', Thethi turistik prej katër muajsh i bllokuar

Nga A2 CNN
30 Mars 2021, 14:29 | Aktualitet

Thethi ndonëse është nga pikat më të bukura malore në vendin tonë, gjatë periudhës së dimrit kjo zonë është një mollë e ndaluar për turistët dhe vizitorët.

 Dhe ndoshta është e vetmja pikë turistike malore në rajon që nuk arrihet dot nga turistët. Rruga është e bllokuar nga muaji dhjetor, pavarësisht disa tentativave.

Më problematike situata paraqitet në segmentin Bogë – Qafë Thore, ku në disa vende trashësia e borës arrin deri në 4-5 metër. Një prej banorëve të zonës tregon per mikrofonin e A2 vështirësitë që hasin 350 banorët e zonës për të komunikuar me Shkodrën, por edhe dëmtimin që kjo situatë i ka bërë bizneseve të zonës.

Nik Guri dhe gazetari i A2 Gjon Gjeka

“Ka një rrugë tjetër nga Mali i Shoshit, por edhe ajo është e degraduar, dhe duhen 7-8 orë me makinë deri në Shkodër. Ose mund të ecim nga këtu 6 orë në këmbë. Bizneset i kemi të hapura, por nuk kemi rrugë”, thotë Nik Guri, banor i Thethit.

 Fatkeqësisht duke pasur parasysh edhe eksperiencat e viteve të mëparshme, Thethi turistik do të jetë i paarritshëm për vizitorët edhe në këto ditë të bukura pranvere. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos