Fuga: Studentët, nivel të ulët të anglishtes, por sa laboratorë kanë shkollat? Hierarkia mësues-fëmije është shprishur

Nga A2 CNN
17 Qershor 2021, 22:02 | Aktualitet

Rezultatet e gjuhës angleze këtë vit ka treguar një ulje të dukshme të nxënësve ekselentë, dh enjë rritje domethënëse të atyre që kanë “ngelur”. Për profesor Artan Fugën, shifrat në vetvete nuk kanë kuptim, dhe rëndësi ka një krahasim. “Të bëhet krahasimi midis notës që nxënësit kanë marrë në shkollë dhe notën e testit, dhe krahasimi do të më thoshte shumë, përshembull nëse shkolla është tolerante dhe në një test tjetër situata ndryshon. Sipas meje duhet të bëhet rregull që diferenca midis notës mesatare në tre vitet e fundit me notën në provimet e maturës, të jetë një e dhënë për rankimin e shkollave të mesme, sipas zonave, por edhe për mësuesit dhe përparësinë e tyre në karrierë”. Fuga nuk mohon problematikat, pikërisht për njohuritë gjuhësore. “Nga eksperienca ime, studentët me dhunti dhe kapacitet shumë të mirë, inteligjentë, të shkathët, paraqesin nivel shumë të ulët të anglishtes. Në vit të parë është shumë e vështirë t’i kërkosh studentëve të kërkojnë në literaturën e huaj, pa thënë për të folur. Prindërit që investojnë me para për kurse të gjuhës i përkasin një shtrese sociale, që shpesh herë nuk vijnë në universitetet publike, madje shpesh herë shkojnë jashtë shtetit. Po sa shkolla kanë laboratorë gjuhësorë, sa kanë infrastrukturë dhe platforma audiovizive, këtu mund të bëjmë krahasimet”, thotë Fuga në A2. Testet e maturës së matematikës janë cilësuar nga shumë studentë si tepër të vështirë. Sipas Fugës “po të heq revoltat studentore në 1968 që rrokën Romen, Berlinin, Parisin, ku krahas dëshirës për modernizim dhe të drejtat njerëzore, kishin edhe vërejtje për anën përmbajtjesore të formimit, programit etj. Raste të tjera nga sa njoh nuk shoh, ose janë të rralla. Ne kemi një situatë kur nxënësit ngrehen kundër mësuesit. Kjo është simbolike për shoqërinë, ku hierarkia e natyrshme prindër-fëmijë ose mësues-fëmije është shprishur”. Por pedagogu i njohur thekson se “vjet unë jam skandalizuar nga testi i letërsisë, me të famshmin Turi, ku nuk kishte metodologji shkencore, nuk dihej a ishe në gjuhësi a në logjikë, një kaos i jashtëzakonshëm. Nuk e di për matematikën sot, por nga momenti kur drejtuesja e ministrisë e njeh që ka një problem, dhe mbas konkursit premton që do të rishikohen pikët, e marr të mirëqenë problemin. Është rasti i dytë rresht, është shume e rëndë dhe nuk nxirret përgjegjësia”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos