Nga bonuset për pensionistët te licencat e kanabisit, demokratët me paketë “8 ndalesash” për të fituar

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2026, 22:27 | Politikë

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se Partia Demokratike ka propozuar një paketë prej 8 ndalesash, që, sipas tij, do të ndajnë partinë nga shteti.

Në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, Bylykbashi i prezantoi pikat e demokratëve.

“Ne kemi propozuar ndarjen e partisë nga shteti. Çfarë do të thotë kjo? E para, administrata publike nuk duhet të jetë nën presion dhe as të përdoret si sistem patronazhimi. E dyta, shteti, qeveria dhe parlamenti nuk miratojnë ligje, akte normative apo VKM që japin bonuse apo indeksojnë në mes të fushatës. Kodi Zgjedhor sot e ndalon këtë dhe do të jetë më preçiz ndalimi dhe me sanksione më të ashpra. E treta, përdorimi i buxhetit të shtetit, financave të shtetit, prokurimeve publike, kontratave shtetërore, liçencave që jepen… Pra, buxheti i shtetit që përdoret për të blerë praktikisht votë apo për të krijuar impresionin që po punohet. E katërta, sistemi i patronazhimit për të kushtëzuar shërbimet publike. Dhe shembulli më i shëmtuar për këtë është Prania Besnike dhe regjistri i pranisë besnike. Është regjistri i patronazhimit. Unë ta bllokoj, ta nxij jetën tek sporteli i shërbimit publik që ti të vish ditën në fundjavë tek prania besnike te zyrat e shtetit me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të të regjistrojnë ata ty sistemi i tyre i patronazhimit, që i kanë vënë emrin Prania Besnike. E pesta, përdorimi i inspektorateve shtetërore në mënyrë selektive: dikë për ta goditur me shkop duke i vënë gjoba, ose në mënyrë selektive e lejojnë dikë tjetër që të bëjë ndërtim pa leje apo i heqin një gjobë. E gjashta, përdorimi i të dhënave personale të shtetasve. Sot të dhënat personale përdoren për të profilizuar zgjedhësin, për ta targetuar politikisht dhe pastaj për t'i ofruar para apo për ta goditur. E shtata, përdorimi i prestigjit zyrtar. Vjen kryeministri, vjen ministri, bëjnë inaugurime, mbledhin, dalin, bëjnë “live” pafund. Jo, këto nuk ndodhin më. Edhe sot janë ndaluar inaugurimet, por do të jetë në mënyrë të detajuar, të qartë që zyrtari nuk e bën. Nëse e bën, do ketë pasoja”, tha Bylykbashi.

“Çështja e fundit është përdorimi i propagandës zyrtare, arritjet që administrata i financon për të bërë, po themi, propagandë dhe këtë ta shpërndajnë nëpërmjet kanaleve zyrtare të saja, në llogari Facebooku apo në media apo në llogaritë e kandidatëve e ndaluar te kjo. E gjithë kjo paketa është një”, shtoi Bylykbashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos