
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, zbuloi propozimin e demokratëve që nëse një ministër konstatohet që ka shkelur ligjin, mandati mos i hiqet vetëm ministrit në fjalë, por edhe partisë së tij.
“Paketa jonë do të ketë jo vetëm rregullat e ndalimit, për të ndarë shtetin nga partia, por edhe rregulla që KQZ të ndërhyjë jo pas zgjedhjeve, por gjatë zgjedhjeve. Të thotë që “ti e ndalon këtë aktivitet dhe nëse e shkel, do të kesh pasoja dopio”. Propozojmë masa administrative, propozojmë gjoba të rënda. Nëse shkelja është më e rëndë, do të ketë ndjekje penale. Nëse dëmi është i madh, mund të shkojë edhe në pavlefshmëri zgjedhjesh. Por, mund të mos jetë e nevojshmë përsëritja e zgjedhjeve sepse identifikohet X ministër, që ka shkelur ligjin për burimet shtetërore për shembull. Konstatohet shkelja, i hiqet mandati. Por, nuk i hiqet vetëm ministrit, por edhe partisë përkatëse. Këtë e ka shkruar Komisioni i Venecias për Serbinë dhe Ukrainën”, tha Bylykbashi në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.
Ai shpjegoi më tej se “nëse hajduti vjedh biçikletën dhe dënohet për vjedhje, nuk ia lëmë biçikletën”.
“Mandati, kur hiqet, i shkon subjektit tjetër. Nëse me përdorimin e shtetit i merret mandate një partie të opozitës, i kthehet asaj partie”, theksoi deputeti demokrat. (A2 Televizion)