Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka ndërprerë vazhdimin e seancës së sotme për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të deputetëve për të siguruar kuorumin.
Ajo bëri të ditur se data e re për vazhdimin e seancës, e cila zgjati rreth 12 orë, do të caktohet pas konsultimeve dhe dakordimit me kryetarët e grupeve parlamentare.
Si rrjedhojë, mbeti pa u hedhur në votim rezoluta e propozuar nga Aleanca për energjinë, si dhe Projektligji për Dhomat e Specializuara, shkruan A2. Partia Demokratike e Kosovës, e cila e propozoi si ligjin, ashtu edhe kthimin në Kuvend nga presidentja, është zotuar se ndryshimet në të do të miratohen brenda dy javësh.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila e votoi ligjin më 6 tetor, pritet ta mbështesë edhe këtë herë, ndonëse ka shprehur rezerva për efektet e tij. Teksti i miratuar në tetor do t’ia ngushtonte kompetencat Gjykatës Speciale në Hagë. Ai e lidh juridiksionin e saj me veprat që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pretendimet për trafikim organesh në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Ndryshimet e miratuara më 6 tetor nuk parashohin shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, por kufizimin e juridiksionit të tyre në krimet e lidhura drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim organesh. Ato synojnë gjithashtu të ngushtojnë periudhën kohore dhe territorin që mbulon gjykata. (A2 Televizion)