Protesta, miratim me procedurë të përshpejtuar, kthim te presidentja për rishqyrtim me kërkesë të PDK-së dhe tash sërish në Kuvend, pa asnjë ndryshim. Ky është rrugëtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili pritet të hidhet sërish në votim sot në Kuvendin e Kosovës.
Juristi Arton Nrecaj vlerëson se miratimi i ligjit në formën aktuale, me mundësinë që ndryshimet të bëhen më vonë, mund të krijojë përplasje kushtetuese: “Si i tillë, ky ligj mund të prodhojë pasoja juridike. Do të kemi një përplasje kushtetuese, sepse ndryshimi i ligjit gjithmonë duhet të jetë në harmoni me nenin 162 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili i jep autonomi të plotë dhe autorizime ligjore funksionimit të Dhomave të Specializuara në të gjitha nivelet”.
Nrecaj paralajmëron edhe për pasoja në raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian: “Përplasja vjen sepse ne kemi reagimet e ashpra nga BE-ja, të cilët kanë ngritur shqetësimin kundrejt Kosovës se, në rast të kalimit të ligjit, nuk po i respekton marrëveshjet ndërkombëtare të arritura me BE-në. Kjo mund të prodhojë pasoja politike, ekonomike dhe pasoja për rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.
Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari vlerëson se nisma për ndryshimin e ligjit nuk është analizuar mjaftueshëm dhe se nuk janë përmbushur detyrimet për konsultim me BE-në, shkruan A2.
“Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, edhe nga procedurat që janë ndjekur, ka qenë i pa analizuar mirë e mjaftueshëm. Shto faktin këtu që Kosova ka detyrime ndërkombëtare për t'u konsultuar me BE-në, përkitazi me këto çështje që nga viti 2014, gjë e cila nuk është bërë”, shprehet Bajraktari.
Ai ngre shqetësime edhe për procedurën e ndjekur në Kuvend, duke paralajmëruar mundësinë e kontestimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese: “Kjo çështje duhet të trajtohet si çështje mbipartiake, çështje me interes nacional dhe të sigurohen që edhe përmbajtja të jetë në harmoni me vetë amendamentin kushtetues, po edhe procedura që duhet të ndiqet me qenë procedurë e përcaktuar me dispozitat respektive të Rregullores së Punës së Kuvendit, sepse lehtësisht mund të sfidohet në Dhomat e Gjykatës Kushtetuese”.
Përveç dilemave juridike, votimi i sotëm mbetet i pasigurt edhe politikisht. Pasi ligji nuk e ka mbështetjen e LDK-së, ndërsa ende nuk dihet qëndrimi i Vetëvendosjes. Për miratimin e tij nevojiten 61 vota. (A2 Televizion)