

Ministri i Biznesit në Britaninë e Madhe, Grant Shapps, është vënë në qendër të kritikave pasi akuzohet se ka fshirë ish-kryeministrin Boris Johnson nga një fotografi e tij e postuar në Twitter. Shapps mohoi të ketë modifikuar fotografinë e realizuar gjatë një vizite në Qendrën Hapësinore Britanike.
Shapps postoi foton për të përgëzuar nisjen e anijes së parë hapësinore nga toka britanike në “Spaceport” në Kornuoll, por ndjekësit në rrjetet sociale vunë re se ajo ishte e njëjta foto e realizuar në vitin 2021, ku ishte i pranishëm edhe Johnson, tashmë i larguar nga detyra.
Shapps tha se nuk e kishte idenë që fotografia ishte modifikuar dhe e fshiu atë nga llogaria e tij në Twitter.
Fotografia origjinale është postuar në llogarinë me emër “Number 10” në Flickr, postuar në datën 9 qershor 2021.
BBC citon një burim pranë ministrit Shapps, sipas të cilit ai nuk ishte në dijeni që fotografia ishte modifikuar. Por kjo nuk pengoi opozitën laburiste të ironizonte ministrin gjatë debatit në Parlament. “Do të ishte më mirë që ai të kalonte më pak kohë në “photoshop” e më shumë kohë duke bërë punën e tij e duke negociuar”, tha deputeti Andrew Gwynne gjatë fjalës së tij. (A2 Televizion)