
Njësia Administrative Nr.8 në kryeqytet ishte ndalesa e radhës e Lulzim Bashës, për të shpalosur para demokratëve platformën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike.
Ish-lideri i rikthyer për të katërtën herë në një garë të brendshme të selisë blu u ka shprehur të pranishmëve në takim planin e tij për modernizimin e partisë, duke premtuar hapjen e PD-së.
"Partia Demokratike do modernizohet, do hapet dhe do bashkohet rreth vlerave. Një parti ku do të vlerësohen kontributet e do të jetë e hapur për të rinjtë dhe të gjithë ata që ndajnë të njëjtat vlera me ne dhe që duan ta ndryshojnë Shqipërinë bashkë me ne. Ndryshimi që kemi nisur në radhët tona, me vendime sa të vështira por po aq historike, është provë e gatishmërisë sonë për t’u përmirësuar, si instrumenti i vetëm që shqiptarët kanë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë", tha Basha.
Basha bëri thirrje që të shuhen përplasjet e brendshme në PD, pasi sipas tij “koha provoi se ndihmon vetëm kundërshtarin politik”, në një kohë kur opozita duhet të fokusohet te hallet dhe problemet e përditshme të shqiptarëve.
Ish-kreu i PD po ashtu nënvizon se PD me të kryetar do të jetë alternativë qeverisëse dhe jo e keqja më e vogël që shqiptarët mund të votojnë kur kanë përballë qeverisjen e korruptuar.
“Vizioni ynë është demokracia pjesëmarrëse, kontrolli dhe balancimi i pushteteve, përfshirja e gjerë e anëtarëve të partisë, e qytetarëve, e intelektualëve, e specialistëve, e sipërmarrësve dhe grupeve të interesit në ndërtimin e ofertës politike, që na mundëson të federojmë gjithë faktorët opozitarë rreth projekteve dhe ideve që bashkë ndajmë, në një kontrast të qartë me qeverisjen e korruptuar. Si alternativa më e mirë e jo si e keqja më e vogël.
All - Paragraf - 7Aleancë Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të çbejnë ato të 2008-ës, do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateve.
Në aleancë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshim, ne do ta çlirojmë vendin nga sundimi i oligarkëve politikë dhe ekonomikë, do të heqim nga supet e shqiptarëve zgjedhën e sundimit të njëshave, zgjedhën e kastës tridhjetëvjeçare, që ka marrë peng demokracinë për interesat e mbajtjes dhe mbrojtjes së pushtetit personal”.
Duke u shprehur se PD zyrtare i qëndroi besnike marrëdhënies së saj me ndërkombëtarët, Basha po ashtu insistoi në qëndrimin për t’i dhënë fund lidhjes me politikën e vjetër, duke shënjestruar kështu indirekt Sali Berishën.
"Ne nuk mund të humbasim kohë duke mbajtur kokën mbrapa, ndaj zgjasim dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që sot sheh nga e ardhmja dhe që e ka të qartë se rrugët e vjetra nuk të çojnë askund. Në rrugëtimin tonë kemi zgjedhur të qëndrojmë pranë aleatëve dhe miqve të çmuar të shqiptarëve, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Europian dhe Britaninë e Madhe", u shpreh ai. (A2 Televizion)