Çështja Beleri, Dule: Brukseli ia bëri të qartë Ramës për masat që duhet të marrë menjëherë, ose do ketë pasoja

Nga A2 CNN
28 Qershor 2023, 14:33 | Politikë
Çështja Beleri, Dule: Brukseli ia bëri të qartë

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është shprehur se në vizitën që ka pasur në Bruksel, kryeministrit Edi Rama i është dhënë një mesazh i qartë sa i përket rastit “Beleri”. I ftuar në A2 CNN me gazetarin Erion Dushi, Dule tha se Rama e ka marrë mesazhin për masat që duhet të marrë menjëherë dhe për pasoja që do e shoqërojnë në rast të një mosreflektimi.  

“Prania e Kryetarit të Komitetit të Asociimit dhe Stabilitetit të BE-së, Manolis Kefalogiannis ishte domethënëse, janë bërë të gjitha lëvizjet nga eurodeputetë në Parlamentin Europian, janë bërë të gjitha sugjerimet, i është thënë në të gjitha tonet e mundshme Ramës se kjo praktikë nuk është Europiane, se pengmarrja nuk do të tolerohet. Ramës i është thënë shumë qartësisht për masat që duhet të marrë menjëherë dhe për pasoja që do e shoqërojnë një mosveprim i tillë”, tha Dule.

Dule e ka konsideruar arrestimin e Fredi Belerit, si një rrëmbim ose pengmarrje, sipas së cilit është bërë me qëllim marrjen e Bashkisë së Himarës nga qeveria. Ai shtoi se ndonëse kanë kaluar gati 2 muaj nga vënia në pranga e Belerit, ende sot nuk ka asnjë provë. Pas kësaj, ai bën fajtor kryeministrin Edi Rama.

“Po afron 2 muaj që nga momenti i ndalimit, rrëmbimit dhe pengmarrjes së Belerit dhe jemi në pritje të një fakti dhe një prove, ashtu siç u ndalua arbitrarisht, mbahet arbitrarisht, me qëllim përfundimtar, rrëmbimi i përfaqësimit në pozicionin e kryebashkiakut të komunitetit himarjot.

Po zgjat sepse një veprim arbitritrar i dirigjuar nga Rama, sigurisht që ndërlikohet sa më shumë kalohet koha dhe e vërteta del zbuluar në sy të faktorit të brendshëm dhe ndërkombëtar, vetë Rama e nisi këtë betejë”, tha Dule.

Për kreun e PBDNJ-së, e gjitha po ndodh për një motiv, që është prona.  

“Kryefjala e pengmarrjes është prona, Beleri është shquar gjatë 10 viteve të fundit për rolin e tij në linjën e parë të komunitetin, për garantimin e së pronës, si brenda ashtu edhe jashtë dhe programi i tij ka qenë prona, nga ana tjetër kemi një kryeministër që gjithë bregdetin e Jonit, e konsideron si një vilajet ku bën favor për klientelën e tij qeveritar”, përfundoi Dule në A2 CNN.

 Një ditë më parë, mes debateve të shumta u konstitua Këshilli Bashkiak i Himarës, por Fredi Beleri nuk u betua për shkak se GJKKO nuk i dha leje për të dalë nga qeli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos