Ylli i mirënjohjes për Yuri Kim, Rama: Protagonizmi i saj na doli edhe në ëndërr

Nga A2 CNN
28 Qershor 2023, 15:25 | Politikë
Ylli i mirënjohjes për Yuri Kim, Rama: Protagonizmi i saj na doli edhe

Largimin e Yuri Kim nga Shqipëria, kryeministri Rama e përcolli me një shënim të gjatë në Facebook, ku me penën që hera-herës kapte trajta gati poetike, nuk lë pa thumbuar protagonizmin e ambasadores amerikane.

“Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen, ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë s’e urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë. Në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ajo ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve”, shkruan Rama.

Një protagonizëm në të cilin, sipas Ramës, kanë rënë - kush më shumë e kush më pak - të gjithë diplomatët amerikanë në Shqipëri, një vend ku SHBA shihet si Arusha e Madhe, shkruan kryeministri, e për rrjedhojë edhe një ambasador ndjehet si Zot në tokë.

“E tmerrshme në dukje, po jo edhe aq në fakt, sepse për ta vlerësuar si duhet rolin e ambasadorëve amerikanë, e posaçërisht të ambasadores që me protagonizmin e saj të veçantë na doli edhe në ëndërr, e më shtyu t’i shkruaj edhe këto radhë, duhet bërë pyetja, “A do të ishte më mirë sikur të mos ishin fare dhe sikur në vend se të zhytej me kokë, në vorbullën e jetës politike e institucionale të vendit, Yuri të qëndronte si sfinks mbi kodrën e butë të Rrugës së Elbasanit?”…. Unë them jo, padiskutim jo. Përkundrazi”, vijon deklarata.

Në prag të largimit të saj drejt SHBA, ku pritet të jetë përgjegjëse për Europën në Departamentin Amerikan të Shtetit, Rama vlerësoi Ambasadoren Kim me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike, për përpjekjen e saj që Shqipëria të bëhej një vend më i mirë se sa ai që ishte kur ajo erdhi.

“Mbi të gjitha, për bindjen time se kjo lloj Amerike, me duart e futura në organizmin e jetës sonë institucionale, ka qenë tërë këto vite të ngjitjes së mundimshme nga honi i zi i ferrit komunist në të përpjetën drejt dritës së demokracisë, një e keqe aq e domosdoshme, sa vetë forca që i ka dhënë Shqipërisë e kombit shqiptar në çdo drejtim”, pwrfundon shkrimi.

Shënimin e tij të cilin e quan diplomatikisht skandaloz, Kryeministri e mbyll me parashikimin se edhe pasardhësii Yuri Kim pritet të bjerë së shpejti në kurthin e ëmbël të Shqipërisë, vendi që sheh Amerikën si Arushën e Madhe në kostelacionin qiellor e ku ambasadorët e saj ndjehen si Zot në tokë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos