“Gardë nderi” për Messi-n, Mbappe evitoi përballjen

Nga A2 CNN
4 Janar 2023, 16:46 | Futboll

Lionel Messi u prit si hero, në rikthimin e tij te Paris Saint German. Një pjesë e futbollistëve dhe e stafit teknik që ndodhen në Paris krijuan “gardën e nderit”: ata u rreshtuan duke e duartrokitur yllin argjentinas teksa ai hynte në fushë.

35-vjeçari u kthye në skuadër pas pushimeve të përfituara nga angazhimi në Katar 2022. Shtatë herë fituesi i Topit të Artë qëndroi përafro dy javë në Argjentinë, pasi i udhëhoqi albiçelestët drejt triumfit në Kupën e Botës, që mungonte prej vitit 1986.

Neymar ishte mes atyre që e përshëndetën fituesin e titullit botëror, teksa Kylian Mbappe nuk ishte i pranishëm. Sulmuesi i Francës ka marrë disa ditë leje nga trajneri, menjëherë pas humbjes 3-1 përballë Lens.

Ajo ishte disfata e parë e këtij edicioni për kampionët e Francës, që tashmë shpresojnë se rikthimi i Leo do t'u japë një impuls të ri, për të realizuar objektivat e përcaktuara.

Mes atyre që e duartrokitën Messin ishte vëllai i vogël i Mbappe. Por, mediat nxituan të evidentonin mënyrën aspak miqësore se si 16-vjeçare po e shikonte sulmuesin në kohën kur po hynte në fushë. Pas finales së Kupës së Botës, ku Franca u thye nga Argjentina dhe talljeve nga lojtarët kundërshtarë, rivaliteti ndërmjet Kilyan dhe Leo është në kulmin e vetë.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo sfidë do të reflektohet te Paris Saint German, por edhe në rezultatet e ekipit, mbi të gjitha në Champions League. Nëse tensioni rritet, njëri ndërmjet Messi apo Mbappe duhet të largohet nga Parisi. Sipas mediave ndërkombëtare, sheikët e klubit kanë akord me argjentinasin, që ai të qëndrojë edhe në vitin 2023. Ndoshta kjo do të nënkuptonte largimin e sulmuesit francez te Real Madrid. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos