
Me fazën përgatitore e cila është drejt fundit, trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka mbetur tejet i kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe shpreson që e gjithë kjo përgatitje t’i shërbejë skuadrës kur të kthehet në Tiranë. Nga Antalia tekniku i të kuqve ka rrëfyer se përballë tre ekipeve tepër cilësore me të cilat Partizani u ndesh, loja e krijuar ka pasur më shumë rëndësi se rezultati.
“Në këtë mënyrë krijojmë ide të qarta për mënyrën se si do të luajmë, por edhe për gjendjen aktuale të lojtarëve”, tha Gega.
Gega shton më tej se Partizani do të luftojë në çdo front dhe duke nisur që nga ndeshjet e Kupës. “Patjetër që Kupa është një nga qëllimet tona, por edhe në kampionat do të kërkojmë të marrim maksimumin”, shtoi trajneri i të kuqve.
Partizani do të luajë ndeshjen e parë zyrtare mesjavën e ardhshme në Kupën e Shqipërisë përballë Kastriotit më pas e pret supersfida e kampionatit kundër Skënderbeut. (A2 Televizion)