Gjenden dy trupa pa jetë nën rrënojat e ndërtesës së shembur në Marsejë

Nga A2 CNN
10 Prill 2023, 07:12 | Bota
Gjenden dy trupa pa jetë nën rrënojat e ndërtesës

Njëzet e katër orë pas shpërthimit që rrëzoi një ndërtesë katërkatëshe në Marsejë, në jug të Francës, grupet e shpëtimit gjetën dy trupat e parë mes rrënojave, nga tetë persona që supozohen të zhdukur.

Shpërthimi ndodhi në lagjen La Plaine në orën 00:49 me orën lokale të së dielës, ndërsa shkaku mbetet i paqartë. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një rrjedhje gazi.

Pesë persona nga ndërtesat fqinje pësuan lëndime të lehta në shpërthim dhe rreth 200 njerëz u desh të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre. Dy blloqe aty pranë u shembën pjesërisht disa orë më vonë, por pa shkaktuar lëndime.

Rreth 100 zjarrfikës shkuan në vendngjarje për të shuar flakët nën rrënoja gjatë të dielës, ndërsa zjarri vështirësoi evakuimin.

Operacionet e shpëtimit vazhduan deri në orët e para të së hënës me ndihmën e një vinçi dhe dritave.

Në një deklaratë të shkurtër që njoftonte zbulimin e trupave, zjarrfikësja tha se "duke pasur parasysh vështirësitë e ndërhyrjes, nxjerrja e trupave nga vendi do të marrë kohë".

Një gjimnaz lokal dhe dy shkolla janë hapur për të akomoduar njerëzit që u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. Gjithashtu, ofrohet mbështetje psikologjike.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha në Twitter se ai "po mendonte për të prekurit dhe të dashurit e tyre" dhe falënderoi punonjësit e urgjencës për përpjekjet e tyre.

Kryetari i bashkisë së Marsejës, Benoît Payan, tha se ekipet e shpëtimit mbeten "të vendosur" për të gjetur njerëz të gjallë. "Shpresa duhet të na mbajë", tha ai. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/04/09/shembet-pallati-ne-marseje-zjarri-pengon-evakuimet/

A2 CNN Livestream

Latest Videos