
Një gërmues ari ka zbuluar një këlysh mamuthi qimegjatë, të mumifikuar në Yukon të Kanadasë. Sipas analizave të deritanishme, mamuth femër quhej Nun cho ga, që në gjuhën tradicionale Hän, e folur nga popullatat vendase, do të thotë "kafshë e madhe".
Për momentin, rezulton të jetë mamuthi më i plotë i mumifikuar i zbuluar në Amerikën e Veriut.
Është e sigurt që Nun cho ga shëtiti në Yukon për një kohë të gjatë, së bashku me kuajt e egër, luanët e shpellave dhe bizonët gjigantë të stepës. Ai jetoi rreth 30 000 vjet më parë dhe pas vdekjes mbeti i ngrirë në permafrost gjatë pjesës së fundit të epokës së fundit të akullit.
Për paleontologët ky konsiderohet zbulimi më i rëndësishëm në paleontologji në Amerikën e Veriut dhe "zbulimi shkencor më emocionues".
Me siguri, pak para se të ngordhte, mamuthja e vogël ishte me nënën e saj dhe kishte ngrënë me të në një zonë të pasur me barishte, kur u largua shumë larg saj dhe ngeci në një zonë me baltë, që u bë varri i saj. Kjo e lejoi atë të ruhej në mënyrë perfekte deri më sot, aq sa kur u zbulua kishte ende thonjtë e këmbëve, lëkurën, flokët.
Edhe pjesët e brendshme të kafshës ishin të paprekura, me vaktin e fundit të barit ende të pranishëm në stomak.
Yukon, është i njohur për depozitimin e fosileve të epokës së akullit, por rrallë zbulohen artefakte të tilla të papërlyera dhe të ruajtura mirë. Mamuthi i leshtë ishte një kafshë me madhësinë e elefantit afrikan, ai endej në shumë zona të planetit deri rreth 4000 vjet më parë. Sapiens e gjuanin atë për të marrë ushqim, përveç kockave dhe fildishit për të bërë mjete të dobishme për jetën e tyre të përditshme. Deri më sot, ka një polemikë për arsyet e zhdukjes së tyre. Disa studiues spekulojnë se ishte kryesisht gjueti, të tjerët ndryshimi i klimës ose ndoshta të dyja. (A2 Televizion)