Gjermania shkatërron Sllovakinë 6-0 dhe siguron Botërorin, Holanda vulos kualifikimin

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2025, 22:52 | Futboll

Gjermania shkatërron Sllovakinë 6-0 dhe siguron Botërorin,

Gjermania ka siguruar pjesëmarrjen e saj të 19-të radhazi në Kupën e Botës, pasi triumfoi me një rezultat spektakolar 6-0 ndaj Sllovakisë, në një ndeshje ku dominimi ishte absolut. Leroy Sané ishte protagonist i mbrëmjes me dopietën e tij të parë me fanellën e kombëtares që prej vitit 2021, ndërsa skuadra e Julian Nagelsmann shfaqi nivel të lartë loje dhe vendosmëri të hekurt.

Gjermanët e nisën ndeshjen fuqishëm dhe kaluan në avantazh në minutën e 18-të me golin e Nick Woltemade, ndërsa Serge Gnabry dyfishoi shifrat pas një aksioni të shpejtë. Para pjesës së parë, Sané shënoi dy gola radhazi: fillimisht me një diagonale të saktë, më pas me një goditje të fortë në shtyllën e dytë, duke e mbyllur pjesën e parë me 4-0, shkruan A2 CNN.

Në pjesën e dytë, Gjermania uli ritmin, por prapë gjeti edhe dy gola të tjerë. Ridle Baku shënoi pas një kombinimi me Gnabry, ndërsa debutuesi Assan Ouédraogo vulosi rezultatin 6-0, duke barazuar humbjen më të rëndë historike të Sllovakisë. Për vendasit, disfatë e rëndë dhe alarm para play-off-it, ndërsa për Gjermaninë ishte një demonstrim force dhe konfirmim i kualifikimit të merituar për Botërorin 2026 në Amerikën e Veriut.

Ndërkohë, Holanda siguroi gjithashtu biletën për Botëror me fitoren 4-0 ndaj Lituanisë, falë një shpërthimi prej tre golash në pesë minuta. Por mbrëmja, pa diskutim, iu përket gjermanëve, të cilët duken gati të luftojnë për trofeun e pestë botëror. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos