Foltorja e dytë e PD, Berisha: Të shpëtojmë Shqipërinë, bashkojmë shqiptarët

Nga Anesti Barjamemaj
17 Nëntor 2025, 23:21 | Politikë

Për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 Majit demokratët dolën sërish në shesh. Përpara demokratëve, Sali Berisha tregoi edhe arsyen përse u thirr kjo protestë, që ai e quan foltore parlamentaro-qytetare. 

“Ishte mbyllja de facto e narkoparlamentit”. Teksa e krahasoi këtë tubim me foltoren e katër viteve më parë që iu adresua demokratëve dhe prodhoi rikthimin e tij në krye të partisë, Berisha tregoi se cili është qëllimi i protestave këtë herë.

“Foltorja që nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit. Ndaj dhe për të kuptuar pak misionin, hapni sytë dhe shihni si e ka rrethuar pëllëmbë e policë, pëllëmbë e gardistë, pëllëmbë e ushtarë. Edvin, absolutisht je i pashpresë”, tha Berisha.

Nga foltorja poshtë zyrës së Kryeministrit, Berisha edhe njëherë tregoi se do të nisë takimin me demokratët. “Të gjithë ju dhe ata të cilët nuk janë sot me ne për një arsye apo një tjetër sepse nuk kanë pasur mundësi të vijnë, e keni për detyrë të ulemi me çdo shqiptar. Të ulemi sepse platforma parlamentaro-qytetare është platformë e qytetarëve shqiptarë, demokratë, pa parti, por edhe e socialistëve që e duan familjen, që e duan Shqipërinë, që e duan vendin”, shkruan A2 CNN.

Tubimi i kësaj të hëne nuk do të jetë i fundit, pasi demokratët kanë premtuar se çdo javë do të mblidhen para kryeministrisë për të kërkuar largimin e Edi Ramës. 

“Kjo foltore unike në historinë e vendit do të realizojë bashkimin e shqiptarëve në një ideal të lartë, në idealin e votës së lirë, në idealin dhe shenjtërinë e familjes shqiptare. Mirupafshim në foltoren tjetër po në këtë shesh. Tjetrën po në këtë shesh gjer në fitore”.

Protesta e opozitës ishte njoftuar se do të zgjaste 2 orë, por demokratët shfrytëzuan vetëm 90 minuta për të dhënë mesazhet e tyre.

Në përfundim të tubimit në Tiranë gjithçka u kthye në normalitet, ku edhe kryeministria u çlirua  nga hekurat e vendosur në hyrjen qendrore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos