
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ka prezantuar disa sugjerime për sa i përket ekstremizmit të dhunshëm dhe specifikisht përgatitjes së palës shqiptare për rehabilitimin dhe riintegrimin e 76 shtetasve shqiptarë nga Siria.
Sipas këtij instituti nevojitet një strategji për të trajtuar çështje që janë specifike për komunitetet e cenueshme, ku të trajtojë të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm si dhe këshillohet përmirësimi i hapësirës qytetare në Shqipëri.
Forcimi i kapaciteteve të institucioneve të qeverisjes vendore, në veçanti, është nevojë urgjente për të përmirësuar vazhdimisht performancën e tyre në ofrimin e shërbimeve. Institucionet arsimore dhe shoqëria civile duhet të rrisin përpjekjet për trajtimin e shkaqeve bazë dhe efekteve të stereotipave, paragjykimeve dhe diskriminimit shoqëror me bazë ideologjike.
Gjithashtu këshillohet fuqizimi i komuniteteve fetare për të lehtësuar riintegrimin e të rikthyerve, duke i përgatitur dhe duke u kërkuar me ngulm klerikëve vendorë të marrin përsipër një rol më aktiv si riedukatorë fetarë. (A2 Televizion)