Burime për A2 konfirmuan se brenda mbledhjes së Këshillit Politik, përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, ka qenë i rezervuar ndaj propozimit të Partisë Demokratike për listat e hapura 100%.
Në dalje nga mbledhja e këshillit, Gjiknuri pranoi se kjo zgjidhje ka probleme. “Kanë humbur kohë sepse kanë 1 muaj që refuzojnë diçka për të cilën ranë dakord. Hapja e listave ka sfida të mëdha, prandaj duhet kujdes për mënyrën se si formohen koalicionet. Le të gjejnë modele perëndimore që kanë lista të hapura dhe koalicione të tilla zgjedhore. Problemi është varet si e shikon. Risia më e madhe e ndryshimeve kushtetuese është hapja e listave. Edhe unë kam pasur skepticizmin tim, por në fund triumfon vullneti i shumicës”, tha Gjiknuri.
Ai shtoi se është e rëndësishme që ndryshimet kushtetuese të miratohen në seancën e 30 korrikut ndërsa detajet do të dakordësohen mes palëve pas kësaj date, përmes kodit zgjedhor. (A2 Televizion)