Presidenti Meta tha se nuk i kishte diskutuar propozimet e fundit që deklaroi kryedemokrati Basha para mbledhjes së Këshillit Politik, por shtoi se çdo ndryshim në marrëveshjen e 5 qershorit duhet të marrë “certifikim” ndërkombëtar.
“Ekziston vetëm një datë e rëndësishme, 5 qershori. Është një marrëveshje që mundëson rikthimin e të gjithëve brenda institucioneve. Edhe nëse mund të rishikohet një element i 5 qershorit, duhet rishikuar vetëm në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me ekspertët ndërkombëtarë që mund të verifikojnë që ndryshimet sigurojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Meta.
“Sigurisht që palët kanë shumë arsye për t’u mbledhur në Këshillin Politik, për të adresuar çështje të rëndësishme. Uroj që të ecet në këtë drejtim”, shtoi Presidenti.
Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik, Meta reagoi sërish ndaj propozimit të opozitës. “Pranimi publik nga lideri i Opozitës së Bashkuar, z.Lulzim Basha për hapjen e listave 100% është akt historik dhe shërbim i çmuar për demokracinë dhe rikthimin e parlamentarizmit të vërtetë. Është respekt dhe detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë. Tani Këshilli Politik të punojë natë e ditë me ekspertët ndërkombëtarë për konkretizimin më efikas”, tha Presidenti përmes një postimi në Facebook. (A2 Televizion)