Gjimshiti: Humbja me Lituaninë, gabim individual. Abrashi: Vetëm për fitore në ndeshjen e radhës

Nga A2 CNN
8 Tetor 2020, 14:19 | Futboll
Gjimshiti: Humbja me Lituaninë, gabim individual. Abrashi: Vetëm

Në konferencën për shtyp të së enjtes, mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, u shpreh se ndeshja kundër Lituanisë ishte gabim individual, ndërsa beson që Kombëtarja është në rrugën e duhur.

Skema me tre mbrojtës? I kemi të gjithë lojtarët që mund të luajnë me këtë sistem. Nuk besoj se skema përbën ndonjë problem.

Shiriti i kapitenit? Ishte krenari. Ndoshta nuk ishte ajo ndeshja që mendoj, por të jesh kapiten i ekipit është diçka mjaft e bukur.

Të rinjtë e afruar në Kombëtare? Ata lojtarë kanë cilësi, por kanë ende shumë rrugë për të bërë. Është puna e lojtarëve me eksperiencë t'i ndihmojnë.

Presion për të marrë gjashtë pikë? Është më mirë të kesh presion. Por duhet ta harrojmë ndeshjen e kaluar dhe të bëjmë sa më mirë në ndeshjen e radhës me Kazakistanin.

Mungesa e lojtarëve nga pandemia sa na dëmton? Është një situatë e vështirë për të gjithë, jo vetëm për ne. Por, duhen respektuar vendimet e klubeve, sepse rregullat janë përcaktuar edhe ne nuk mund të bëjmë asgjë.

Ndërkohë, Abrashi u shpreh se lojtarët ende po e vuajnë ndeshjen me Lituaninë.

“Për momentin jam mirë fizikisht dhe nuk kam problem për ndeshjen. Jam një prej lojtarëve me më tepër ndeshje në përfaqësuese pas Berishës. Ndihem mirë, por kam edhe përgjegjësi për të ndihmuar ekipin dhe të forcojmë grupin. Edhe pse e kemi humbur ndeshjen e kaluar, kemi shpresë të marrim tri pikë me Kazakistanin. A do të mjaftojnë? Ende po e vuajmë ndeshjen me Lituaninë. Unë kam ardhur këtu për të luajtur dy ndeshje dhe të arrijmë dy fitore. Por e rëndësishme është të fitojmë këtë ndeshjen e parë”, u shpreh Abrashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos