Federata Irlandeze e Futbollit është dënuar me një gjobë 20 mijë euro për shkak të një kënge që lartësonte IRA-n, të cilën ekipi i femrave e këndoi në muajin tetor në dhomat e zhveshjeve pas fitores ndaj Skocisë, e cila i kualifikoi në Botërorin që do të luhet vitin e ardhshëm.
Futbollistet irlandeze janë filmuar ndërsa këndonin këngën e njohur 'Ooh ah, up the Ra', e cila konsiderohet si një himn i Armatës Republikane Irlandeze, organizatë që akuzohet për një sërë atentatesh gjatë ‘luftës’ së saj për t’i dhënë fund sundimit britanik në Irlandën e Veriut.
Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet e sociale dhe solli një reagim të gjerë duke detyruar autoritetet më të larta të futbollit në Irlandë që të kërkonin falje për këtë veprim. (A2 Televizion)