“Një familje, një strehë” është nisma e ndërmarrë nga aktivistja Edlira Gjoni, e cila synon t’u vijë në ndihmë personave të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Gjoni vendosi të ndihmojë një familje me 5 anëtarë në Kullas Ishëm, duke i ndërtuar atyre shtëpinë. Në A2 ajo u shpreh se nëse secili prej nesh do të ndihmonte një person ose një familje, misioni do të ishte i krye për të ndihmuar banorët e prekur nga tërmeti.
Edlira Gjoni kritikoi qeverinë për strehimin e banorëve, shtëpitë e të cilëve janë të dëmtuara nga tërmeti, larg banesave të tyre. “Një familje në ato zona nuk mund t’u thuash që të ikin nga banesat e tyre. Kjo është një shkelje e të drejtës themelore të njeriut”, tha Gjoni.
Gjoni bëri thirrje që puna të fillojë menjëherë. “Nuk ka kohë për të humbur. Nuk mund të presim më. Nuk e kuptoj se çfarë është gjendja e jashtëzakonshme, nëse nuk është të marrësh vendime që njerëzit të shpëtojnë nga kjo situatë, jo me mbledhje, por duke filluar puna. Të hapim themelet!” (A2 Televizion)