Gjoni: PS ka ngritur kultin e individit, PD tepër e qetë, LSI vështirësi për të tërhequr vota

Nga A2 CNN
12 Tetor 2020, 11:11 | Aktualitet

Sezoni politik tashmë është në një fazë të nxehtë, me fushatën zgjedhore që ka ndezur tashmë motorët e saj. Ngjarja më domethënëse e këtyre ditëve ka qenë pikërisht Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Sipas analistes Edlira Gjoni, asambleja u paraqit si “një show me veshje të shtrenjta, me vetëbesim dhe pakë më shumë arrogance në pretendimin për një mandat të tretë, për gjithçka tjetër duket e njëjta gjë, me një mungesë të theksuar demokracie”. Sipas saj, “dikur në PS pranohej mendimi ndryshe, që si rezultat dha ngjitjen politike të kreut aktual. Ndërkohë, sot duket se ka një unison të mendimit se vetëm kreu i PS mund të çojë përpara jo vetëm Shqipërinë dhe partinë, por edhe situatat globale, nga momenti që pati fatin për të qenë edhe kreu i OSBE-së”. Gjoni vëren një ”agresivitet dhe propagandë të panevojshme” të mazhorancës, ku edhe strategjia e fundit për të afruar personazhe “VIP” i duket si “orkestra e Titanikut që luante muzikë ndërkohë që ekuipazhi po mbytej”. Në Asamble, Rama sulmoi kryesisht LSI-në dhe presidentin Ilir Meta. Për Gjonin, “LSI ka një luftë më të madhe se dy partitë kryesore për të qenë prezente dhe të mbijetojë në këto zgjedhje”. Sipas saj, pas dy vitesh mungesë në Kuvend, partia do ta ketë më të vështirë për të tërhequr elektorati ne saj, kryesisht të majtë, që pjesërisht “ka anuar sërish drejt PS-së”. Ndërkohë, situata në kampin demokrat duket më e qetë, por kjo qetësi sipas analistes është disi shqetësuese. “Një parti opozitare mund të dëmtohet nga kjo qetësi, edhe pse përshëndes mënyrën qytetare e të bërit. Bindjen e parakohshme të së djathtës se do të fitojë për efekt rotacioni nuk e kuptoj, duke parë edhe agresivitetin e PS-së. PD duhet të jetë civile patjetër, por shumë më aktive”, thotë Gjonaj, që gjithsesi përshëndet procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos