
Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, komentoi Progres Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, që vlerësoi me tone tejet pozitive progresin e shënuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në procesin e reformave dhe rikonfirmoi rekomandimin për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian nuk i përmend zgjedhjet e 30 qershorit, duke e vënë theksin tek zhvillimi pozitiv i uljes së qeverisë dhe opozitës në tryezë. Një deklaratë e tillë e Komisionit Evropian e ndërthurur me metodologjinë e re të negociatave të anëtarësimit heq të gjitha pengesat për dhënien e dritës jeshile ndaj Shkupit dhe Tiranës. Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili bllokoi vendimin pozitiv në samitin e mbajtur në tetor të vitit 2019, ka thënë së fundmi se do të hiqte veton nëse rezultatet e progres raportit të Komisionit Evropian do të ishin pozitive.
Megjithatë, Gjosha thekson se ky raport “nuk reflekton të gjitha ndryshimet e metodologjisë së re”.
“Nuk mendoj se Progres Raporti i këtij viti reflekton të gjitha ndryshimet e metodologjisë së re. Ky Progres Raport nuk është surprizë sepse e kuptoj se si funksionon Komisioni Evropian. Rekomandimi pozitiv për Shqipërinë është dhënë për herë të parë në vitin 2016, dhe është e pamundur për Komisionin që të tërhiqet nga vendimi i 4 viteve më parë. Për Maqedoninë e Veriut ka 15 vite që rekomandon çeljen e negociatave, por ajo ka qenë e pamundur për arsye të ndryshme. Progres Raporti fokusohet në 5 prioritete kyçe dhe ka dy sektorë: sektorin politik dhe sektorin ekonomik. Shqipëria ka disa kushte që nuk duhen harruar. Bundestagu ka miratuar një rezolutë për vendin tonë me kushte që duhen plotësuar. A i kemi plotësuar ne këto kushte? Reforma Zgjedhore është e para dhe Gjykata Kushtetuese është kushti i dytë. Reforma Zgjedhore është në rrugë të mbarë, ndërsa Gjykata Kushtetuese jo. Vendet anëtare nuk duan që Komisioni Evropian të ec me hapa më përpara. Nëse Komisioni do të thotë se Gjykata Kushtetuese është në proces, vendet anëtare do të thonë që kur ta ketë këtë gjykatë, Shqipëria do të nisë çeljen e negociatave”, u shpreh Gjosha.
Në lidhje me metodologjinë e re të zgjerimit, Gjosha tha: “Ne rrezikojmë shumë të kthehemi pas për arsye edhe të kushteve që kemi. Problemet tona kryesore kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës dhe me drejtësinë. Në momentin kur do të na vendoset kusht me afat të caktuar, nëse ai nuk zbatohet, jo vetëm që mund të ndalohet procesi i integrimit, por nëse sërish nuk e përmbushim kushtin, do të kthehet pas ky proces. Rrezikojmë shumë me këtë klasë politike që kemi, që nuk ka dëshirë për të vijuar me integrimin pasi ka frikë nga monitorimi që vendet anëtare bëjnë”. (A2 Televizion)