
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Ballkani Perëndimor ndodhet në një moment vendimtar për procesin e integrimit europian, në fjalën e mbajtur në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se qytetarët dhe bizneset e rajonit nuk duhet të presin deri në anëtarësimin e plotë në BE për të përfituar nga mundësitë që ofron integrimi.
“Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në takimin që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat përpara. S’ka asnjë dyshim që ky është një moment mjaft vendimtar për Ballkanin Perëndimor, është po kështu vendimtar si moment për secilin prej vendeve. Nuk ka aspak dyshim se është një moment vendimtar për vet Europën. Ne kemi qenë absolutisht entuziastë për nisjen e këtij procesi, që vë në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual, që na mbledh bashkë më tre dimensione, reforma, konvergjencë ekonomike, dhe kohezion rajonal. Na duhet të themi që vitet e fundit konvergjenca midis 6-shes së B.Perëndimor dhe BE-së po rritet, por ka ende shumë rrugë përpara. Ne kemi avokatë të idesë që qytetarët dhe bizneset tona s’duhet të presin për të përfituar nga mundësi më të mira. Qytetarët tanë duhet të përfitojnë që tani dhe gradualisht nga të drejtat e qytetarëve europiane”, tha Rama.
“Sikur një ditë të më thërrisnin të numëroja bekimet e BE-së, do të sfidoja gjithkënd që të më ndalte së foluri me orë të tëra dhe me ditë të tëra”, u shpreh kreu i qeverisë. (A2 Televizion)