Operacion në Fier dhe Lushnjë, sekuestrohen 6 armë zjarri dhe dy maska silikoni, 4 të arrestuar

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2026, 11:04 | Kronikë

Operacion në Fier dhe Lushnjë, sekuestrohen 6 armë zjarri dhe dy

Katër persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në kuadër të tri fazave të operacionit policor të koduar “Siguria”, të zhvilluar në Fier dhe Lushnjë.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar katër armë zjarri, dy armë gjahu, municion luftarak, dy maska silikoni, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në Fier, në pranga ka rënë fillimisht një 42-vjeçar, i identifikuar me inicialet S. M., i cili qarkullonte me lëndë narkotike kokainë dhe drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën edhe dy maska silikoni, që dyshohet se do t'i përdorte për veprimtari kriminale.

Në fazën e dytë të operacionit, po në Fier, u arrestuan dy shtetas, Z. T., 60 vjeç, dhe E. T., 25 vjeç, babë e bir. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një përforcues grushti.

Ndërsa në Lushnjë, në pranga ra shtetasi M. B., kurse djali i tij, L. B., 32 vjeç, u shpall në kërkim. Pas një hetimi disa javor, Policia ushtroi kontroll në banesën e tyre, ku gjeti dy armë zjarri kallashnikov, një armë gjahu dhe municion luftarak.

Sipas Policisë, armët e sekuestruara në Lushnjë dyshohet se janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.

Armët e sekuestruara në Fier dhe Lushnjë do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e 32-vjeçarit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos