
Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë edhe një herë për gjykim në Apel çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia.
Gjatë dëgjimit të pretendimit të palëve në seancë, SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit, që nga ana e tij kishte vendosur për kthim të çështjes në gjykim në Shkallë të Parë.
Rekurs për çështjen ka bërë edhe prokuroria, e cila i qëndron kërkesës për dënimin e Tahirit me 12 vite burg për “trafik narkotikësh” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Sipas prokurorisë, Tahiri dhe i bashkëpandehuri i tij Jaeld Cela kanë garantuar grupin e “Habilajve” në trafikun e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria në Itali.
“Do të ndjekim procedurën dhe do të shkojmë sërish në Gjykatën e Apelit”, tha Tahiri pasi doli nga gjykata.
“Ne kërkuam që çështja të zgjidhej në themel nga Gjykata e Lartë. Ajo e rrëzoi këtë kërkesë dhe u bazua vetëm në shkeljet procedurale. Kur flet Gjykata nuk ka të drejtë njeri të bëjë komente. Vendosi prishjen e vendimit për shkak të shkeljeve të rënda procedurale, që e cenonin vendimin”, tha avokati i Tahirit, Haxhia. “Ne do të kërkojmë pafajësinë. Ne jemi optimistë dhe të sigurt që drejtësia do të shkojë në vend, duke i dhënë Tahirit pafajësinë”. (A2 Televizion)