Gjykata pezullon nga detyra nënkryetarin e Bashkisë Vorë

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2020, 15:08 | Aktualitet
Gjykata pezullon nga detyra nënkryetarin e Bashkisë Vorë

Gjykata Administrative pezullon nga detyra nënkryetarin e Bashkisë Vorë, Genci Picari. Gjykata ka pranuar kërkesën për sigurim padie të bërë nga Laureta Omeri, ish-nënkryetare, në gjyqin ku kërkon shfuqizimin e urdhrit që e shkarkoi nga detyra.

Picari ishte emëruar nga ish-kryetari i Bashkisë, Agim Kajmaku, pasi kishte shkarkuar nga detyra Omerin dhe nënkryetarin tjetër Hekuran Brahimaj. Në këtë mënyrë, Picari nuk do ta ushtrojë më, të paktën deri në përfundim të gjyqit, detyrën, ndërsa Omeri dhe Brahimaj rikthehen në postet që kishin.

Ish-kryetari i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, i fshihet drejtësisë që prej 12 nëntorit 2019, kohë kur gjykata caktoi për të një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë.

Ndonëse ka organizuar disa operacione, policia ende nuk ka mundur ta gjejë dhe arrestojë. Kërkesën për zëvendësim të masës së dhënë në mungesë Kajmaku e bëri nga arratia përmes avokatit të tij mbrojtës. Në seancën e së martës, avokati Isuf Shehu nuk u paraqit, çka u bë shkak për pushimin e çështjes dhe lënien të pacenuar të masës së “arrest në burg” për Kajmakun.

Në 20 janar të këtij viti Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për Kajmakun duke e marrë të pandehur për “falsifikim të formularëve”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare” dhe “kryerje e funksionit pas dhënies fund të tij”. Sipas prokurorisë, ish-Kryebashkiaku nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një procedim penal në Greqi, ka falsifikuar numrin e protokollit në urdhrat e firmosur prej tij për shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve, si edhe ka hyrë në ambientet e Bashkisë Vorë, pasi KQZ e kishte shkarkuar nga detyra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos