
Përpjekja e radhës e ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, për të lënë qelitë ka rezultuar e dështuar. Gjykata e Apelit të Posaçëm refuzoi kërkesën e tij për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”, në të cilën ish-zyrtari i lartë i akuzuar nga SPAK për “shpërdorim të detyrës” qëndron prej 6 korrikut të këtij viti. Kërkesa u motivua me problemet shëndetësorë të ish-kryebashkiakut.
Seanca në Apel është shoqëruar me tone të forta mes palëve, pasi avokatët mbrojtës të Tushes kanë kërkuar shpjegim se përse prokurorët e SPAK nuk kanë marrë në pyetje klientin e tyre. Njëkohësisht, duke pretenduar se Tushe vuan nga disa probleme shëndetësore, avokatët i kërkuan gjykatës ngritjen e një grupi ekspertësh për ekspertimin mjekësor të tij. Kërkesa u refuzua nga gjykata.
Fatos Tushe u prangos me urdhër të SPAK javën e parë të korrikut, bashkë me 2 biznesmenë dhe 4 zyrtarë të bashkisë, ndërsa katër u proceduan në “arrest shtëpie”. Sipas SPAK zyrtarët e bashkisë Lushnjë kanë shpërdoruar detyrën, falsifikuar dokumente dhe shkelur barazinë në tenderë, lidhur me një procedurë tenderuese prej 23 milionë lekësh për rehabilitimin e një kanali kullues. Në një episod tjetër SPAK ka përgjuar biseda mes Tushes dhe Drejtorit të Ndërmarrjes Publike, Flamur Peqini, teksa udhëzojnë mbushjen e makinave civile me karburant të blerë nga bashkia. Ndërsa në një tjetër përgjim Tushe i përgjigjet ankesës së një qytetari të cilit i kanë pezulluar punimet për ndërtimin e një shtëpie “thuaji që kam folur me kryetarin”. (A2 Televizion)