Gjykatë arbitrazhi në Shqipëri, ligjet japin “OK”

Nga A2 CNN
27 Qershor 2023, 14:59 | Politikë
Gjykatë arbitrazhi në Shqipëri, ligjet japin “OK”

Komisioni i Ligjeve miratoi nismën për ngritjen e gjykatës së arbitrazhit në Shqipëri. Nisma e depozituar nga qeveria mori aprovimi ne deputetëve të maxhorancës, ndonëse edhe deputetët e opozitës në fjalën e tyre ishte pro saj.

“Është një mënyrë tjetër e zgjidhjes së konflikteve jashtë gjykatës. Me vullnet të lirë të palëve. Kryesisht është për çështjet tregtare. Ama, si çdo proces tjetër, edhe ky, për sa kohë do të duhet të zgjidhë një konflikt mes palëve duhet të jetë i normuar qartë, sipas standardeve”, tha deputetja socialiste Klotilda Bushka.

Meraku që stepi deputetët e opozitës që të ngrinin dorë duket se ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama në muajin prill kur tha se qeveria po mendon daljen nga ky juridiksion.

“Ajo çfarë mua më shqetëson është që juve po bëni një ligj për arbitrazhin për t’u larguar nga marrëveshjet ndërkombëtare? Dhe kjo është shumë e rëndë nëse është kështu”, pyeti deputetja e PD, Dhurata Çupi.

“Tani këto diskutime politike bëjini në seancë, pyetini atje. Mos i keqinterpretoni deklaratat. Ne jemi palë e marrëveshjeve ndërkombëtare, jemi një nga shtetet që zbatojmë më së miri detyrimet ndërkombëtare”, iu përgjigj Bushka.

Ngritja e dhomës së arbitrazhit nuk është një risi në legjislacionin shqiptar pasi ai ka qenë funksional deri në vitin 2013, dhe tashmë pritet rihapja e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos