
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të çlirohet nga akuzat në gjyqin kundër tij në Senat, pasi senatorët votuan kundër thirrjes së dëshmitarëve apo paraqitjes së provave të reja.
Demokratët shpresonin që 4 republikanë të lëkundur do të votonin pro dëshmitarëve, çka do ta shtynte procesin gjyqësor, por pa e ndryshuar rezultatin e tij. Në fund, vetëm dy nga 4 republikanët mbështetën kërkesën e demokratëve.
Hapi i radhës është votimi për shkarkimin ose jo të Presidentit amerikan dhe, sipas të gjitha gjasave, Presidenti pritet të shfajësohet. Votimi mbahet në 5 shkurt.
Përfaqesuesit e lartë të Partisë Republikane këmbëngulën për një gjyq të përshpejtuar, pa prova dhe dëshmi të reja. Mbi të gjitha, ata donin të shmangnin dëshminë e ish-këshilltarit të Sigurisë, John Bolton. Ai ka thënë se ishte udhëzuar në mënyrë direkte nga Presidenti që të pezullonte ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës, për të shtyrë këtë të fundit të niste hetimet kundër Joe Biden. (A2 Televizion)