
Në prag të gjysmëfinales së kthimit në Champions League, barazimi 1-1 në ndeshjen e parë në Spanjë, teorikisht favorizon Chelsea. Megjithatë, Reali i Madridit kthehet në një kundërshtar të frikshëm në nivele kaq të larta. Trajneri Thomas Tuchel e ka të qartë, me Benzema që mbajti “Los Blancos” në lojë, me gjithë paraqitjen e shkëlqyer të londinezëve.
“Duhet të luajmë me ritëm të lartë gjatë gjithë ndeshjes. Është një gjysmëfinale e Champions dhe ka shumë presion. Por, duhet të luajmë me përqendrim dhe besim maksimal, në të kundërt nuk do të kemi shanse. Jemi mjaftueshëm të guximshëm, mund të kemi besim te potenciali ynë dhe e meritojmë të jemi këtu”, tha Tuchel.
Teksa Chelsea ëndërron një finale angleze me Manchester City, Zinedine Zidane ka shansin të bëhet një legjendë, nëse do të fitojë trofeun e katërt në karrierën si trajner. Misioni nuk është i lehtë prej mungesave, por rikuperimi i kapitenit Sergio Ramos jep shpresë.
“Jemi në vendin e duhur, e meritojmë ta luajmë këtë gjysmëfinale. Lojtarët e mi janë më të mirët. Ky grup meriton respekt, pasi ka karakter të fortë, di t’i përballojë momentet e vështira dhe t’i kapërcejë ato. Jemi gati të luftojmë deri në vdekje për të siguruar finalen. E kemi të qartë që do të vuajmë, diferencën nuk do ta bëjë vrapimi, por ajo se çfarë do të arrijmë të bëjmë me topin”, tha Zidane. (A2 Televizion)