Vendimi zyrtar, 26 lojtarë në skuadër për finalet e Euro 2020

Nga A2 CNN
4 Maj 2021, 13:36 | Futboll
Vendimi zyrtar, 26 lojtarë në skuadër për finalet e Euro

Rregulla të veçanta për një turne që zhvillohet në periudhë të pazakontë. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi disa normativa speciale për fazën finale të Euro 2020 “me qëllim që të garantojë mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e aktivitetit, në situatën pandemike të krijuar nga Covid-19”.

Pas kërkesës së trajnerëve të përfaqësueseve pjesëmarrëse, u vendos që lista me futbollistët e skuadrave të zgjerohet nga 23 në 26 të tillë. Gjithsesi, UEFA vendosi që të gatshëm për ndeshjet, duke llogaritur formacionin titullar dhe lojtarët që do të qëndrojnë në stolin e rezervave, të jenë vetëm 23 lojtarë. Më 1 qershor, në momentin kur do të dorëzohet edhe lista zyrtare e skuadrave, normativa parashikon zëvendësime të pakufizuara në rast të dëmtimeve apo sëmundjeve përpara ndeshjeve, me kusht që ato të jenë të certifikuara në aspektin mjekësor.

Për të qenë transparentë, futbollistët që do të rezultojnë të infektuar me koronavirus apo që cilësohen “kontakte të afërta” me persona të prekur, cilësohen raste të rënda të sëmundjeve.

Ata do të futen në izolim dhe mund të zëvendësohen para ndeshjeve me aprovimin e UEFA-s. Rregullat e reja do të lejojnë edhe zëvendësimin e portierëve përpara çdo ndeshje gjatë turneut, edhe në rastet kur skuadrat kanë një apo dy portierë të tjerë në dispozicion. Për të garantuar protokollin sanitar, një lojtar që është zëvendësuar, nuk do të mund të kthehet në skuadër për pjesën e mbetur të turneut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos