
Klodiana Spahiu, ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka shpërndarë një mesazh për të siguruar qytetarët se “strukturat shëndetësore dhe sociale vijojnë detyrën e tyre, duke ofruar kujdes dhe mbështetje për këdo që ka nevojë”.
“Prej disa ditësh, Spitali Universitar i Traumës po përballon një fluks të shtuar të të lënduarve. Në këto momente të vështira, dua të falënderoj nga zemra ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës, stafet shëndetësore në të gjithë vendin, për përkushtimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e tyre, pa ndërprerje, për t’i ardhur në ndihmë çdo personi që ka pasur nevojë për kujdes. U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë”, shprehet ministrja, shkruan A2.
“Asnjë nuk duhet të mbetet i pambrojtur në situata që rrezikojnë sigurinë e tij. Shërbimet sociale dhe psikologët janë të angazhuar për të mbështetur të miturit që kanë nevojë për ndihmë. Por përgjegjësia për t’i mbrojtur është e përbashkët. Një shqetësim tjetër është përhapja e lajmeve të rreme dhe e pamjeve të manipuluara ose të nxjerra jashtë kontekstit. Ju ftoj të verifikoni informacionin përpara se ta shpërndani dhe t’u referoheni burimeve zyrtare. Në momente të tilla, informacioni i përgjegjshëm është thelbësor për të mos shtuar frikën dhe tensionin”, shton Spahiu.
Më tej, ministrja e Shëndetësisë vijon: “Dua t’i siguroj qytetarët se strukturat shëndetësore dhe sociale vijojnë detyrën e tyre, duke ofruar kujdes dhe mbështetje për këdo që ka nevojë. E di që këto ditë janë të vështira. Por siguria e fëmijëve, shëndeti dhe jeta e çdo qytetari duhet të jenë mbi çdo ndarje dhe kundërshti. Le t’i mbrojmë fëmijët nga rreziqet që mund të parandalojmë. Le të mos lejojmë që frika, zemërimi apo informacioni i pavërtetë të na largojnë nga përgjegjësia që kemi ndaj tyre. T’i dëgjojmë. T’i kuptojmë. T’i mbrojmë. Fëmijët janë të parët”. (A2 Televizion)